e martë, mars 08, 2005

Duke ndjekur hap pas hapi virusin e SARSit

Shkencëtarët e Universitetit të Hong Kongut raportuan në 22 mars se kanë arritur të rrisin në kulturë qelizore virusin shkaktar të pneumonisë së pazakontë. Shkencëtarët e izoluan virusin nga mushkërite e infektuara të njërit prej 10 viktimave të SARSit. Pavarësisht nga ky sukses, shkencëtarët janë akoma të paqartë për identitetin e virusit. Nga vëzhgimet nën mikroskop, shkencëtarët gjermanë kanë konkluduar se, virusi i SARSit ka një formë të ngjashme me virusin e familjes Paramyxoviridae. Shkencëtarët kanadezë, nga ana e tyre, sygjerojnë se shkaktari i sëmundjes është një pjesëtar i familjes Paramyxoviridae i quajtur metapneumovirus. Metapneumovirusi është izoluar dhe karakterizuar për herë të parë nga shkencëtarët danezë në qershor të vitit 2001 nga paciente me simptoma pneumonie. Megjithatë, ky virus nuk ka agresivitetin e virusit te SARSit dhe nuk transmetohet si ai. Studime akoma të papublikuara të disa prej laboratorëve të përfshira në studimin e SARSit sygjerojnë se mund të bëhet fjalë për një virus krejt të ndryshëm nga çfarë spekullohet deri më tash.
SARS (Severe Acute Respiratory Syndrome) u vu në qendër të vëmendjes së Organizatës Botërore të Shëndetësisë pas infektimit brenda një kohe të shkurtër të një numri të madh njerëzish, kryesisht në rajonin e Hong Kongut. Simptomat e sëmundjes janë në stadin fillestar të ngjashme me ato të një gripi: temperature (>38°C), ethe, dhimbje koke, diare. Në këtë fazë, testet e shpejta-rutine laboratorike nuk janë në gjendje të identifikojnë agjentin e sëmundjes. Mbas 3-7 ditësh fillon kolla dhe problemet me frymëmarrjen të cilat, në gati 20% të rasteve, çojnë në përdorimin e maskave me oksigjen. Periudha e inkubimit të sëmundjes (mbartjes së saj pa shfaqur simptoma) është 2 deri në 10 ditë ndërsa vdekshmëria llogaritet në 3%.
Deri më tash, e vetmja mënyre efektive për të diferencuar SARSin nga gripi apo pneumonitë e zakonshme ka qenë radiografia e mushkërive. Kjo situatë tani mund të quhet e kapërcyer. Shkencëtarët e Universitetit të Hong Kongut kanë bërë të mundur zhvillimin e një testi që në mënyrë specifike diagnostikon të sëmurët me SARS. Testi diagnostikues, i cili identifikon gjurmët e virusit të SARSit në gjak, është provuar të jetë i suksesshëm tek të gjithë pacientët e testuar. Ngelet që ky test të shndërrohet në një formë më të sofistikuar që do të lejojë përdorimin e tij në rutinën spitalore.

Origjina e SARSit

Burimi i përhapjes së SARSit rezulton të jetë një doktor kinez i cili, gjatë qëndrimit të tij në një hotel në Hong Kong, ka infektuar midis 12 shkurtit dhe 2 marsit 7 individë, tre nga Singapori, dy kanadezë, një kinez dhe një hongkongas. Në 22 mars, Sekretari i Shtetit për Shendetësinë në Hong Kong do të raportonte se vetem në Hong Kong bilanci i SARSit është 222 të infektuar dhe 6 të vdekur. Megjithë masat e ndërrmara për të shmangur përhapjen e sëmundjes, vetëm midis 20-21 marsit numri i të infektuarve u rrit me 32 raste të reja. Ndërsa pacientët e parë të infektuar ishin mjekët dhe infermieret që ranë të paret në kontakt me sëmundjen, tash midis pacientëve llogariten familjarë dhe femijë të mjekëve dhe infermierëve të infektuar, miq të tyre, studentë të mjekesisë. Virusi ka kohë që ka lene kontinentin aziatik e ka levizur në drejtim të Evropës dhe Amerikës. Në listën e shteteve të prekura nga SARS përfshihen sot Hong Kongu, Taiwani, Thailanda, Singapori, Anglia, Slovenia, Zvicra, Kanadaja, Spanja, Italia dhe USA. Numri total i të infektuarve deri në 22 mars ishte 380, kurse i viktimave 10.
Në këtë numer nuk janë perfshirë të infektuarit e mundshëm në Kine, vendi nga mendohet ta ketë origjinën SARSi. Doktori kinez që infektoi 7 turistët e hotelit në Hong Kong, dhe njëri nga të 10 viktimat e SARSit, kishte ardhur nga provinca e Guangdong në Kinen Jugore. Në fund të nëntorit të vitit të kaluar provinca e Guangdong do të prekej nga një epidemi me simptoma të ngjashme me SARSin. Specialistët kinezë e konsideruan sëmundjen si një infektim bakterial dhe e lanë në heshtje. Ngjashmëria midis simptomave të epidemise në Kine dhe ato të SARSit, si dhe identifikimi i burimit të përhapjes së sëmundjes në Hong Kong e më gjerë, kanë përforcuar dyshimet se epidemia e nëntorit është shkaktuar nga virusi i SARSit. Specialistë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë ndërmarrë gjatë fundit të javës një inspektim të hollësishëm të kësaj sëmundje në Kinë, inspektim që do të hedhë dritë mbi burimin e infektimit dhe shkallën e përhapjes së SARSit.

Nje pandemi e re ne horizont

Historia e shekullit të kaluar ka rregjistruar 3 pandemi të cilat kanë shkaktuar miliona të vdekur dhe humbje të mëdha ekonomike: në 1957, 1968 dhe 1977. Ekspertët janë të gjithë të një mendjeje që planetit tonë po i afrohet një pandemi e re. Modelet epidemiologjike llogarisin që vetëm në vendet e industrializuara kjo pandemi e re do të shkaktojë brenda një intervali kohor dyvjeçar 57-132 milionë të infektuar dhe 280 000-650 000 të vdekur. Në vendet në zhvillim kjo shifër pritet të jetë me e madhe si rezultat i kushteve minimale të higjienës dhe ushqimit të keq e të pamjaftueshëm. Eshte interesant fakti qe edhe pandemitë e vitit 1957, 1968 dhe 1977, ashtu si edhe SARSi dhe shumë viruse të tjera të identifikuar vitet e fundit, e patën origjinën në Kinë. Kina është një vend me një popullatë të dendur, me shumë komunitete që praktikojnë rritjen e derrave dhe patave, një mentalitet të ndryshëm për higjienen dhe, mbi të gjitha, ndryshime klimaterike të tilla midis veriu dhe jugut të vendit që favorizojnë gati çdo muaj infektimet nga gripi të një rajoni apo një tjetri. Per të gjitha këto arsye Kina është një lloj rezervuari virusesh.
Shfaqja në mënyrë të rregullt, gati çdo 10 vjet, e një pandemie shpjegohet me aftësinë e virusit të gripit për t'u transferuar nga një specie tek tjetra, për të ndryshuar vazhdimisht e për t'u rekombinuar gjenetikisht me viruse të specieve të tjera. Mundësia që viruse të strehuara në specie kafshësh akoma të panjohura, për një arsye ose tjetrën, të dalin nga këta strehues e të infektojne njerëzit është teorikisht e madhe. Në sajë të këtyre aftësive, virusi i gripit (ri)shfaqet në forma të reja, më agresive, që i shpëtojne sistemit mbrojtës të trupit tonë, efektit të ilaçeve dhe efektit të vaksinave.
Për t'i paraprirë shfaqjes së një pandemie të re, por edhe për të mbajtur nën kontroll valët vjetore gripale, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka organizuar një rrjet global mbikëqyrës të përbërë nga 112 institute nacionale. Kapja e shfaqjes së viruseve dhe sëmundjeve të reja infektive që në fillimet e tyre, informimi i shpejtë dhe i efektshëm, kombinimi i përpjekjeve të komunitetit të shkencëtarëve për izolimin, identifikimin, analizimin dhe gjetjen e kurave përkatëse, kanë berë që epindemitë gripale të përballohen relativitisht lehtë. Janë prodhuar ilace më të sofistikuara e më të efektshme e krijuar vaksina që jo vetëm kanë rritur cilësinë e preventimit dhe të kurimit, por edhe kanë mbajtur relativisht nën kontroll dëmet ekonomike. Rasti i SARS është një sukseset më të fundit të OSHB. Brenda një kohe rekord, veprimet e koordinuara të mjekëve, institucioneve kombëtare, medias dhe, mbi të gjitha, koordinimi i punës së laboratorëve shkencore kane cuar ne izolimin e virusit dhe gjetjen e një testi diagnostikues. Përpjekjet për të gjetur identitetin e virusit dhe një kurë efektive kundër tij janë akoma në progres.

© Pop - Biologjia


1 comment:

Anonymous said...

The information were very helpful for me, I've bookmarked this post, Please share more information about this
Thanks